Lumir Abdixhiku prezanton Gazmend Muhaxherin si kandidat të LDK-së për Pejën: “Fitore që në raund të parë!”

by informim peje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një tubim elektoral të mbajtur në Pejë, ka prezantuar zyrtarisht Gazmend Muhaxherin si kandidat të LDK-së për kryetar të komunës.

Abdixhiku theksoi se Peja ka qenë gjithmonë bastion i LDK-së dhe do të mbetet pararojë e fitores edhe në këto zgjedhje.

banner

“Nuk ka sallë tjetër në Kosovë që jep dridhje si kjo sallë. Nuk ka vend tjetër që përshkruan më mirë besimin, qëndrueshmërinë dhe forcën e një populli si kjo. Këtu, gjithmonë forca e qytetarëve është kthyer në fitore. Çdo brohoritje është kushtrim për Kosovën.

Prandaj, sot nga Karagaçi dhe nga Peja, kushtrojmë fort, qartë dhe zëshëm: Fitore – dhe asgjë më pak! Fitore për Gazin që në raund të parë!

Peja është qyteti që nuk është dorëzuar kurrë. Është qyteti që nuk është lëkundur kurrë. Është qyteti që gjithmonë ka zgjedhur rrugën e drejtë. Peja ka qenë gjithmonë me LDK-në, me Rugovën, me demokracinë, me lirinë dhe me shtetin. Dhe kështu do të jetë edhe sot, edhe nesër, edhe gjithmonë”, deklaroi Abdixhiku.

Duke e quajtur Gazmend Muhaxherin “kryetar kampion”, Abdixhiku vlerësoi punën e tij në tri mandatet e kaluara, duke e cilësuar si një model të qeverisjes lokale dhe simbol të përkushtimit e rezultateve konkrete.

“Në krye të këtij qyteti, për tri mandate me radhë, ka qëndruar një njeri që nuk ka nevojë për prezantim. Një njeri që e ka bërë Pejën model të qeverisjes lokale. Një njeri që ka fituar çdo betejë me punë, me dinjitet dhe me vizion.

Ky njeri është Gazmend Muhaxheri – kryetari kampion i Pejës.

Ai është simbol i përkushtimit, i fjalës së mbajtur dhe i rezultateve konkrete. Nuk premtoi më shumë se ç’bënte, por gjithmonë bëri më shumë se ç’premtonte. Ai e ka transformuar qytetin nga themeli, duke e bërë Pejën një emër të respektuar brenda dhe jashtë vendit. Peja sot është destinacion për vizitorë, biznese, kulturë, sport e turizëm. Kjo është fytyra moderne e qytetit tonë që shihet në çdo hap.”

Kreu i LDK-së theksoi se partia garon me një ekip profesionistësh të ndershëm, të përkushtuar për qeverisje efikase dhe transparente.

“Mjafton të ecësh në sheshet e reja, të shohësh investimet në Pejë e Rugovë, shkollat e çerdhet, lagjet e rindërtuara – për të kuptuar çfarë do të thotë qeverisje e ndershme dhe punëtore.

Sepse puna e Gazmend Muhaxherit nuk ka nevojë për fjalë të mëdha. Puna e tij është vetë qyteti. Është Peja që flitet, që shihet, që ndihet.

Dhe kjo është trashëgimia që do të mbetet për brezat që vijnë.

Përkrah Gazit, është një listë e fortë kandidatësh të LDK-së për Asamblenë Komunale – profesionistë dhe qytetarë të ndershëm që hyjnë në politikë për shërbim, jo për privilegj. Kjo është garancia e qeverisjes së mirë. Kjo është garancia e fitores.”

Në fund të fjalimit, Abdixhiku lëshoi një thirrje të fortë për fitore që në raundin e parë, duke theksuar rolin e Pejës si shembull i zhvillimit dhe vendosmërisë qytetare.

“Peja sot ka një pamje tjetër. Është qytet që frymon ndryshe. Është qytet ku çdo familje e dallon fjalën e mbajtur nga mashtrimi politik. Për tri mandate me radhë, qytetarët e Pejës kanë parë çdo ditë çfarë do të thotë qeverisje serioze dhe e përgjegjshme.

Peja është qytet i sportit, i kulturës, i rinisë dhe i diasporës që kthehet me krenari dhe sheh ndryshimin. Është qytet i njerëzve punëtorë, që nuk janë dorëzuar kurrë.

Çdo votë për LDK-në në këto zgjedhje është votë për unitet, për zhvillim dhe për Kosovën që e duam.

Peja, si gjithmonë, do të jetë pararojë e fitores!”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy