Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se ka marrë pjesë në një pritje të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në New York.
Osmani ka publikuar fotografi nga kjo ngjarje ku shihet përkrah liderëve të tjerë botërorë, duke theksuar se janë zhvilluar diskutime me rëndësi për interesat e Kosovës dhe qytetarët e saj.
“Në pritjen e Presidentit Trump në New York, krah liderëve të tjerë botërorë – diskutime të rëndësishme në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë!”, ka shkruar Osmani në përshkrimin e fotografisë.
Nuk janë dhënë detaje shtesë mbi përmbajtjen e diskutimeve apo temat konkrete të bisedimeve, por pjesëmarrja në këtë event vjen në kuadër të vizitës së Presidentes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ajo ka zhvilluar takime të ndryshme me përfaqësues politikë dhe institucionalë.
Kujtojmë se Vjosa Osmani ndodhet në SHBA në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një ngjarje ku marrin pjesë liderë nga e gjithë bota për të diskutuar çështje globale.