Një person ka humbur jetën pasditen e së dielës në fshatin Lybeniq të Pejës, pasi ka rënë në një bunar gjatë kohës sa ishte duke e pastruar atë.
Procesi i nxjerrjes së trupit të pajetë ka zgjatur për disa orë. Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, përmes një njoftimi, ka dhënë detaje rreth operacionit për nxjerrjen e viktimës.
“U realizua me sukses operacioni për nxjerrjen e trupit të pajetë të viktimës nga pusi në Lybeniq të Pejës. Nxjerrja e trupit të viktimës u realizua përmes organizimit teknik të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës dhe kompanisë së Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës,” thuhet në njoftim.
ShKShMK ka njoftuar se kishte pranuar një thirrje nga Policia e Kosovës për një aksident në fshatin Lybeniq, komuna e Pejës.
“Skuadrat e ShKShMK-së janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të filluar operacionin. Në vendngjarje ishin të pranishëm Policia e Kosovës, njësitë e zjarrfikësve dhe të emergjencës. Një person kishte rënë në pus gjatë punës për pastrimin e tij. Për shkak të thellësisë, pranisë së gazrave dhe mungesës së oksigjenit, operacioni kërkoi koordinim të ngushtë ndërmjet të gjitha palëve kompetente për nxjerrjen e viktimës,” thuhet tutje në njoftim.