Qeveria spanjolle ka marrë një vendim të fortë kundër furnizimit me armë të Izraelit, duke ndaluar tranzitin e avionëve ushtarakë dhe anijeve amerikane që transportojnë armatime, municione apo pajisje të lidhura me to, përmes bazave të Rota-s (Kadiz) dhe Morón de la Frontera-s (Sevilje). Lajmi u konfirmua nga burime pranë Komitetit të Përbashkët SHBA–Spanjë.
Ky hap vjen në një kohë kur rritet presioni ndërkombëtar ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen ushtarake që po i japin Izraelit, në një luftë të cilësuar gjerësisht si gjenocidiale në Rripin e Gazës. Sipas të dhënave më të fundit, mbi 66 mijë palestinezë janë vrarë nga ofensiva izraelite.
Zyrtarët spanjollë kanë theksuar se të dy bazat ushtarake ndodhen nën sovranitetin e plotë të Madridit dhe çdo operacion në to kërkon miratim të posaçëm. Marrëveshja e mbrojtjes mes dy vendeve i jep Uashingtonit mundësinë të përdorë këto baza nën kushte të caktuara, por çdo ngarkesë e ndjeshme – si furnizimet me armë për Izraelin – do të shqyrtohet rast pas rasti.
Më 23 shtator, Këshilli i Ministrave në Madrid miratoi gjithashtu një embargo të plotë ndaj Izraelit, duke ndaluar eksportin e armëve, tranzitin e karburanteve dhe importet nga territoret e pushtuara. Ky vendim shënon një ashpërsim të qartë të qëndrimit diplomatik të Spanjës dhe ushtron presion moral ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahut për shkak të masakrave në Gaza.
Ky zhvillim pritet të ndikojë si në marrëdhëniet bilaterale SHBA–Spanjë, ashtu edhe në dinamikat e Bashkimit Evropian ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme.