Ish-kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj, është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Përveç saj, në hetim është përfshirë edhe ndërtuesi Rrok Gega, i cili fitoi tenderin e financuar nga fondet publike.
Hetimi lidhet me ndërtimin e një ure në fshatin Luzhë, e cila sipas SPAK është realizuar për interesa personale të Islamajt, pasi përfitues të drejtpërdrejtë të saj ishin familjarët e ish-kryetares, që banojnë në këtë zonë.
Tenderi për ndërtimin e urës u hap nga Bashkia e Tropojës dhe u fitua nga Rrok Gega. Çështja u denoncua fillimisht nga Partia Demokratike në dhjetor të vitit 2024, përmes zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, e cila akuzoi Islamajn për përdorim të fondeve publike në shërbim të interesave private, konkretisht për ndërtimin e një ure mbi përroin pranë banesës së motrës së saj.
Zyra Islamaj u komandua në krye të Bashkisë së Tropojës në shtator 2024, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut Rexhë Byberi, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkaktim të një dëmi prej 2.7 miliardë lekësh të vjetra ndaj buxhetit të shtetit.
SPAK pritet të dërgojë dosjen në gjykatë në ditët në vijim, ndërsa rasti ka ngjallur reagime për përdorimin e fondeve publike në shkelje të ligjit dhe në shërbim të interesave familjare.