Stadiumi legjendar “San Siro”, simbol i futbollit italian dhe shtëpia e dy gjigantëve Inter dhe AC Milan, do të kalojë në pronësi të dy klubeve milaneze. Këshilli i Qytetit të Milanos ka votuar pro shitjes së impiantit, duke hapur rrugën për ndërtimin e një stadiumi të ri modern.
Seanca maratonë e Këshillit filloi në orën 16:30 dhe përfundoi vetëm në 03:50 të mëngjesit, me një rezultat të ngushtë votimi: 24 vota pro dhe 20 kundër. Vendimi konsiderohet historik, pasi për herë të parë në më shumë se një shekull, qyteti i Milanos heq dorë nga pronësia mbi këtë simbol të sportit italian.
Vlera e shitjes është përcaktuar në 179 milionë euro, të cilat dy klubet do t’i shlyejnë me këste. Afati për mbylljen e procedurave është vendosur deri më 10 nëntor, me mundësinë e pengesave vetëm nga bankat gjatë 40 ditëve të ardhshme.
Pas finalizimit, Interi dhe Milani do të nisin projektin e ndërtimit të stadiumit të ri në zonën e parkingut aktual, ndërsa “Meazza” do të prishet pjesërisht. Sipas planit, impianti i ri pritet të përfundojë në vitin 2031, duke ofruar kushte moderne për tifozët dhe të ardhura të reja për klubet.
“San Siro”, i ndërtuar në vitin 1926, ka pritur dhjetëra finale të mëdha evropiane dhe botërore, si dhe qindra derbi mes Interit dhe Milanit. Shitja e tij shënon fundin e një epoke, ndërsa nis rrugëtimi drejt një shtëpie të re për dy klubet e famshme të Milanos.