Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe se nuk ka konstituim të Kuvendit të Kosovës.
“Për fat të keq, kemi vetëm ditë të humbura. Kjo neglizhencë për moskonstituimin e Kuvendit është një qëllim politik i LVV-së, sepse nuk ka pasur mundësinë të krijojë një shumicë që do t’i mundësonte si parti e parë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re,” tha Zemaj.
Ai shtoi se vendimi i Kushtetueses konfirmon qëndrimin e LDK-së. “Gjykata Kushtetuese në thelb konfirmoi atë që ne kemi thënë: nuk ka konstituim të pjesshëm të Kuvendit. Kuvendi duhet të konstituohet në tërësi, me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve qoftë nga shumica shqiptare, qoftë nga përfaqësuesit e pakicave që kanë vende të garantuara në kryesinë e Kuvendit,” deklaroi ai në Televizionin Teve1.
Zemaj shprehu shqetësim për ndikimin e situatës në stabilitetin institucional dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi një veprim politik të përgjegjshëm. Nuk duhet ta lejojmë dobësimin e Kosovës për shkak të veprimeve të VV-së apo të Albin Kurtit si kryetar i saj. Sepse Kosova është mbi të gjitha më e rëndësishme se çdo parti apo individ. Ajo duhet të mbrohet, jo të minohet nga brenda, duke i dhënë hapësirë elementeve destruktive që nuk kanë fuqi kushtetuese,” theksoi Zemaj.