Instituti amerikan për strategji dhe politika, New Lines Institute, ka publikuar një raport ku rekomandon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përshtatin politikën e tyre ndaj Kosovës me “realitetin e ri” në vend.
Në raport theksohet se Kosova tashmë është stabile sa për t’u konsideruar partner kredibil i SHBA-së dhe se politika amerikane duhet të fokusohet më shumë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë.
Raporti sjell pesë rekomandime kryesore:
SHBA-ja të trajtojë Lëvizjen Vetëvendosje si partner të sinqertë, qoftë në pushtet apo opozitë;
të ndalojë mbështetjen e pakushtëzuar për udhëheqës që minojnë sundimin e ligjit, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi;
të mbështesë dialogun e udhëhequr nga BE-ja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke shmangur krijimin e një strukture si Republika Srpska;
të ushtrojë presion mbi pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës;
dhe të konsolidojë marrëdhëniet me Prishtinën përmes një qasjeje më të barabartë në raport me dialogun me Beogradin.
“Roli i SHBA-së në Kosovë ka kaluar nga një ‘ndihmës lindjeje’ i shtetësisë në një ‘rojtar’ të status quo-së,” thuhet në raport, duke theksuar se kjo qasje duhet të ndryshojë.
Raporti vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit janë tensionuar, meqë administrata amerikane vlerëson se kryeministri Albin Kurti nuk ka treguar gatishmëri të mjaftueshme për koordinim dhe bashkëpunim gjatë mandatit të tij.