Behgjet Pacolli: Kosova nuk ka vetëm krizë politike, por edhe problem me modelin shtetformues

by informim peje

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka folur pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar pa zgjedhjen edhe të nënkryetarit të Kuvendit nga pakica serbe.

Pacolli thotë se nëse partitë shqiptare nuk e votojnë kandidatin për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, e që do të mund të vinte nga Lista Serbe, procesi i konstituimit do të bllokohej politikisht dhe juridikisht.

banner

“Kushtetuta e Kosovës, përmes mekanizmave të demokracisë konsensuale, kërkon që për konstituimin e plotë të Kuvendit dhe zgjedhjen e organeve udhëheqëse (sidomos kryetarit të Kuvendit), të ketë edhe votën e komuniteteve jo-shumicë — përfshirë serbët. Nëse shumica e deputetëve shqiptarë refuzojnë kategorikisht çdo kandidat nga Lista Serbe, atëherë praktikisht procesi bllokohet juridikisht dhe politikisht,” thotë ai për FrontOnline.

Sipas tij, mosvotimi i një kandidati nga Lista Serbe, edhe pse politikisht do të ishte i kuptueshëm, institucionalisht do të ishte i dëmshëm dhe do ta ngujonte sistemin politik.

“Pra po, mosvotimi i një kandidati nga Lista Serbe është politikisht i kuptueshëm, por institucionalisht i dëmshëm, sepse e ngujon sistemin. Kosova mbetet peng i një paradoksi: Pa Listën Serbe nuk ka institucione, por Lista Serbe nuk po shihet si partner legjitim për bashkëqeverisje,” shton Pacolli.

Pacolli tregon dy skenarët e mundshëm politik pas vendimit të Kushtetueses: Njëri pragmatik, tjetri konfliktual

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, për FrontOnline ka folur për krizën politike në vend, ku ka treguar dy skenarët e mundshëm pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, do të ketë skenar pragmatik ose skenar konfliktual.

“Duke parë qëndrimet e deritanishme të subjekteve politike, janë dy skenarë realistë:
Skenari pragmatik: Në ditët e fundit para skadimit të afatit, bëhet një marrëveshje taktike — jo domosdoshmërisht politike — vetëm për ta kaluar fazën e konstituimit. Kjo mund të ndodhë në formën e një kompromisi minimal: p.sh. votohet kandidati i Listës Serbe, por me marrëveshje që posti të mbetet simbolik ose i kufizuar në kompetenca.
Skenari konfliktual: Asnjë lëvizje nuk ndodh dhe vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja. Duke parë klimën aktuale të mosbesimit, ky skenar ka marrë gjithnjë e më shumë peshë,” thotë ai për FrontOnline.

“Ose kompromis i dhimbshëm, ose zgjedhje të reja” – Pacolli lë fajtor partitë politike shqiptare, Listën Serbe dhe Kushtetutën për krizën institucionale

Kreu i AKR-së, ish-deputet dhe ish-shef i diplomacisë, Behgjet Pacolli, për FrontOnline ka fajësuar partitë e shumicës shqiptare, Listën Serbe dhe Kushtetutën e Kosovës si fajtorët kryesorë të krizës politike që ka kapluar vendin.

“Partitë shqiptare të shumicës për faktin se nuk po ofrojnë një zgjidhje politike alternative, si p.sh. ndryshim kushtetues ose model tjetër funksional që shmang varësinë strukturore nga Lista Serbe.
Lista Serbe për faktin se konsiderohet më tepër instrument politik i Beogradit sesa përfaqësuese reale e qytetarëve serbë në Kosovë, duke e bërë bashkëpunimin politik pothuajse të pamundur.
Kushtetuta e Kosovës, e cila është hartuar me logjikën e paqes pas konfliktit, dhe jo me logjikën e funksionimit normal institucional. Sot, ajo po shndërrohet nga garanci e përfaqësimit në mekanizëm bllokues,” thotë Pacolli për FrontOnline.

Madje Pacolli nuk e përfundon me kaq – ai fajtor dhe shkaktar të krizës politike e quan edhe Presidenten e vendit, Kryeministrin dhe gjithë udhëheqësit e partive opozitare.

“Por, fajtori kryesor për krizën aktuale institucionale nuk është vetëm një individ apo një subjekt, por një dështim kolektiv i gjithë lidershipit politik në vend. Duke filluar nga Presidentja, Kryeministri, Kryesia e Kuvendit e deri te udhëheqësit e opozitës — të gjithë kanë dështuar të krijojnë një klimë bashkëpunimi minimal për të zgjidhur sfidat që dihej se do të vinin,” shton Pacolli.

Sipas tij, në vend që të ulen në tryezë dhe të kërkojnë një model funksional për garantimin e stabilitetit institucional, secili kamp politik është fokusuar në kalkulime të ngushta elektorale.

“Në vend që të ulen në tryezë dhe të kërkojnë një model funksional për garantimin e stabilitetit institucional, secili kamp politik është fokusuar në kalkulime të ngushta elektorale dhe retorikë kundërpalësh. Produkti i kësaj qasjeje është bllokada që po e paguan vendi, jo politikanët,” deklaron Pacolli për FrontOnline.

Pacolli thotë se Kosova nuk ka problem vetëm me konstituimin e Kuvendit, por ka problem me modelin e vet shtetformues, duke paralajmëruar ose kompromis të dhimbshëm, ose zgjedhje të reja.

“Pra, po — përgjegjësia është e përbashkët, por faji më i madh bie mbi lidershipin aktual, i cili ka detyrimin kushtetues dhe moral për të ofruar zgjidhje, jo justifikime. Kosova nuk ka problem vetëm me konstituimin e Kuvendit — ka problem me modelin e vet shtetformues. O do të zgjidhet me kompromis të dhimbshëm, o do të shkojë në zgjedhje të reja që ka gjasa të prodhojnë të njëjtin bllokim. Nëse nuk ndryshon logjika e bashkëjetesës politike, zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje — por “restart i të njëjtit problem,” përfundon Pacolli.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy