Katër persona janë arrestuar të enjten në qytetin e Pejës, pasi janë përfshirë në një rrahje që dyshohet se ka përfshirë edhe përdorimin e armës së zjarrit.
Incidenti ka ndodhur në rrugën “Adem Jashari”, ku disa persona janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin, ndërsa Policia e Kosovës ka konfirmuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar katër gëzhoja, duke shtuar dyshimet për përdorimin e armës gjatë përleshjes.
“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që janë përfshirë në një rrahje me disa persona tjerë. Në rast dyshohet se është përdorur edhe armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Për fat të mirë, nga përleshja nuk raportohet për persona të lënduar. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.