Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Admiral Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Gjatë bisedës, Osmani vlerësoi lartë rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, duke theksuar se bashkëpunimi mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it mbetet jetik për stabilitetin afatgjatë.
Ajo ritheksoi përkushtimin e Kosovës për integrimin euroatlantik, ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe përmbushjen e zotimeve ndaj Aleancës.
Presidentja Osmani ngriti gjithashtu shqetësimet për sfidat e sigurisë në veri të Kosovës dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, duke nënvizuar rëndësinë e pranisë së KFOR-it në parandalimin e tensioneve dhe eskalimeve.
Në përfundim, ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe rikonfirmoi vendosmërinë e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm e aktiv i botës demokratike.