Dragashi përballet me reshje të pazakonta bore në tetor

by Nexhat

Bora e rënë gjatë këtyre dy ditëve preku edhe zonat malore në rajonin e Prizrenit. Nga pesha e borës ranë në rrugë disa drunj, të cilët e vështirësuan qarkullimin normal të automjeteve. Pavarësisht reshjeve, borëpastrueset kanë depërtuar në të gjitha rrugët duke e larguar borën.

Moti i lig që po mbretëron këto ditë në Kosovë ka përfshirë edhe zona në rajonin e Prizrenit. Telashet më të mëdha ishin nga rënia e drunjve në rrugë, si pasojë e peshës së borës mbi degët ende të veshura me gjethe.

banner

Më shumë pati probleme në fshatrat e thella malore, si Pllajniku i Opojës. Megjithatë, rrugët ishin të kalueshme.

“Jo, në këtë vakt nuk ka ra borë. Pak ndoshta ka ra, por si tash jo. Moti s’ka ra, por ka qenë verë e nxehtë sivjet, shumë nxehtë ka qenë. Eh, pastrimi i rrugëve, pak a shumë”, tha Mexhit Mejdiu, banor i zonës.

Ndërsa banori tjetër, Vehit Veseli, thotë se nuk e mban mend të ketë rënë borë në fillim të tetorit.

“Rrugët krejt në rregull janë. Kanë ra edhe lisa në rrugë, se bora është e rëndë. Rrugët nuk janë blloku. Borëpastrueset kanë ardhë, disa herë i kam pa”, tha ai.

Sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, Vetim Ramadani, me gjithë vështirësitë që janë paraqitur, të gjitha rrugët në zonat rurale janë të kalueshme.

“Kemi vështirësi që nga mëngjesi i ditës së sotme në qarkullimin e disa fshatrave që gjenden në zona të thella malore, siç janë kryesisht disa fshatra të Gorës, përkatësisht zona turistike e Brodit, Restelicës, Zlipotokut dhe nga pjesa shqiptare, fshati Pllajnik. Mirëpo, kemi arritur të depërtojmë në të gjitha fshatrat dhe të sigurojmë qarkullimin e lehtë për qytetarët”, theksoi ai.

Ramadani thotë se po menaxhohen me kujdes edhe rastet emergjente që mund të ndodhin në këtë situatë.

“Kemi vënë në gatishmëri edhe një ekip të veçantë në kuadër të QKMF-së në Dragash, i cili është i pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme që të intervenojë në të gjitha rastet emergjente shëndetësore në secilin fshat që ka probleme me qarkullim. Nuk është surprise, edhe një herë po e theksoj, të fillojnë reshjet e borës në komunën e Dragashit. Për atë arsye i kemi bërë përgatitjet me kohë. Të gjithë traktorët janë të pajisur me brisqe për pastrimin e borës”, tha ai.

Dragashi dhe Prevalla në rajonin e Prizrenit u prekën nga reshjet e borës në këtë fillim tetori dhe temperaturat në këto zona zbritën nën zero gradë/RTK

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy