Grupi militant palestinez Hamas ka deklaruar se është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet izraelite, si të gjallë ashtu edhe të vdekur, dhe ka sinjalizuar se është gati të nisë menjëherë negociatat sipas një plani paqeje të propozuar nga ish-presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar.
Lajmin e bëri publik vetë Trump në një postim online, duke e quajtur deklaratën e Hamasit “një hap drejt një paqeje të qëndrueshme” dhe duke i bërë thirrje Izraelit të ndalojë menjëherë bombardimet në Gaza.
“Ne duhet të ndalojmë sulmet tani, që të sigurohet një lirimi i shpejtë dhe i sigurt i pengjeve,” tha Trump. Ai shtoi se detajet janë tashmë në diskutim dhe theksoi se plani synon jo vetëm Gazzën, por një paqe të shumëkërkuar në Lindjen e Mesme.
Në një video të mëvonshme, Trump falënderoi vendet që kanë ndërmjetësuar procesin, duke përmendur Katarin, Turqinë, Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Jordaninë. “Kjo është një ditë e madhe, ndoshta e paprecedentë,” tha ai, duke u shprehur optimist për ribashkimin e pengjeve me familjet e tyre.
Nga ana e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli është gati të zbatojë menjëherë fazën e parë të planit të Trump, që parashikon lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. “Ne do të vazhdojmë të punojmë në bashkëpunim të plotë me Presidentin Trump dhe ekipin e tij për të sjellë fundin e luftës, në përputhje me vizionin e përbashkët për paqe,” theksoi Netanyahu.
Plani i Trump përfshin jo vetëm lirimin e pengjeve, por edhe rindërtimin e Rripit të Gazës, krijimin e një bordi ndërkombëtar që do të mbikëqyrë administrimin pas tërheqjes së trupave izraelite, si dhe demilitarizimin e Hamasit. Anëtarët e grupit që pranojnë paqen do të përfitojnë amnisti dhe ndihmat humanitare do të rifillojnë.
Megjithatë, sipas një deklarate të Hamasit të cituar nga The New York Times, grupi i referohet vetëm pjesërisht kushteve të planit, por shpreh “gatishmërinë për të hyrë menjëherë në negociata përmes ndërmjetësve për të diskutuar detajet”.
Trump, i cili vetëm pak ditë më parë paralajmëroi Hamasin se kishte “një shans të fundit” për të pranuar paqen, deklaroi se në rast refuzimi do të kishte pasoja të rënda. Për momentin, palët duken të orientuara drejt një procesi negociues që mund të shënojë fundin e konfliktit dyvjeçar mes Izraelit dhe Hamasit, i nisur më 7 tetor 2023.