Të hënën, Durrësi do të jetë mikpritës i samitit të Iniciativës Brdo-Brijuni, ku udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për të ardhmen evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes të BE-së.
Procesi Brdo-Brijuni, i themeluar në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, synon nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjen e vendeve të Ballkanit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Samiti i këtij viti do të zhvillohet nën moton: “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: së bashku drejt BE-së”.
Takimi organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Millanoviq, ndërsa nikoqir do të jetë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti malazez Jakov Millatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Gordana Siljanovska-Davkova e Maqedonisë së Veriut dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Një nga temat kryesore do të jetë Plani i Rritjes së BE-së për rajonin, me një fond prej gjashtë miliardë eurosh për periudhën 2024–2027. Kosova pritet të përfitojë 880 milionë euro, Shqipëria mbi 920 milionë, Maqedonia e Veriut mbi 750 milionë, Serbia mbi 1.5 miliardë, Mali i Zi 380 milionë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina rreth 900 milionë euro.
Samiti i Durrësit vjen pas takimit të vitit të kaluar në Mal të Zi, ku liderët rajonalë theksuan rëndësinë e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit strategjik me BE-në. Këtë vit, fokusi mbetet integrimi evropian dhe forcimi i stabilitetit e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.