Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka folur për mundësinë e një lufte të re në rajon.
Osmani ka theksuar se thirrjet e pamatura për luftë janë një jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së Ballkanit dhe dëshmi se Beogradi nuk ka zgjedhur rrugën e pajtimit.
“Pavarësisht viteve të angazhimit të palodhur amerikan dhe evropian për t’ia hapur rrugën paqes afatgjatë, Vuçiqi është duke i treguar botës se nuk e ka zgjedhur rrugën e pajtimit. Në vend të ndryshimit të faqes, Vuçiqi dhe regjimi i tij janë duke flirtuar edhe një herë me fantazitë e njëjta destruktive që kanë shkatërruar shumë jetë të pafajshme”, thuhet në reagimin e Presidencës në platformën X.
Deklaratat e Vuçiqit erdhën një ditë më parë, kur ai tha se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe akuzoi Kosovën se po përpiqet ta shfrytëzojë këtë periudhë për të fituar mbështetjen e vendeve të NATO-s dhe të shumicës së shteteve evropiane.
Osmani, ndërkohë, u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të ndalojnë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.