Ashtu si në zgjedhjet e 9 shkurtit, edhe në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të vendosë kamera regjistruese në çdo vendvotim në gjithë vendin.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se kamerat do të jenë të pranishme jo vetëm në vendvotime, por edhe në të gjitha hapësirat ku zhvillohet procesi i numërimit të votave – përfshirë Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
“Numri i vendvotimeve që do të mbulohen me kamera është 2,625. Në 2,571 prej tyre do të bëhet numërimi i fletëvotimeve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale. Po ashtu, qindra tavolina numërimi në 38 qendra komunale dhe dhjetëra të tjera në QNR do të jenë nën vëzhgim të kamerave,” – deklaroi Elezi.
Sipas tij, vendosja e kamerave është një masë sigurie dhe transparence, e cila synon të garantojë integritetin e procesit zgjedhor, ashtu siç ishte bërë edhe në zgjedhjet e mëparshme.
“Kamerat vendosen për të garantuar sigurinë e materialeve zgjedhore dhe për të ruajtur integritetin e procesit të votimit dhe numërimit. Pozicionimi i tyre bëhet në mënyrë që të mos cenohet fshehtësia e votës,” – sqaroi ai.
Elezi theksoi se kamerat nuk do të jenë të drejtuara nga kabinat e votimit dhe nuk do të regjistrojnë momentin kur qytetari shënon preferencën e tij.
Në lidhje me ruajtjen e videove, zëdhënësi bëri të ditur se KQZ nuk do t’i monitorojë pamjet gjatë ditës së zgjedhjeve, ndërsa qasja në to do të jetë e mundur vetëm me kërkesë të institucioneve të zbatimit të ligjit.
“Regjistrimi bëhet në mënyrë pasive, dhe ruajtja e materialit do të jetë e përkohshme – deri në shkatërrimin e materialeve zgjedhore, që ligjërisht ndodh brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultateve,” – tha Elezi.
KQZ ka theksuar se kjo masë është pjesë e përpjekjeve për të rritur besueshmërinë, transparencën dhe sigurinë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.
Në ditën e zgjedhjeve, numërimi fillestar i fletëvotimeve do të bëhet në vendvotime për zgjedhjet e Kryetarëve të Komunave dhe për subjektet politike, ndërsa në Qendrat Komunale të Numërimit do të numërohen votat për kandidatët për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Ndërkohë, votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë.