Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në punëtorinë njëditore të organizuar nga Inspektorati i Arsimit me temën “Praktikat e mira për inspektim efektiv”, ku u diskutua për përmirësimin e cilësisë dhe forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes në sistemin arsimor, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e tij para inspektorëve të arsimit, Kurti vlerësoi lart përkushtimin dhe punën e tyre ndër vite, duke theksuar se Inspektorati është përballur me sfida të mëdha për shkak të mungesës së resurseve njerëzore. Ai rikujtoi se për një kohë të gjatë ky institucion ka funksionuar me vetëm 25 inspektorë, numër që, sipas tij, nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha institucionet arsimore në vend.
“Jemi këtu për të vlerësuar përpjekjet për ngritjen e cilësisë në arsim dhe për të rikonfirmuar se arsimimi i brezave të rinj mbetet prioritet i qeverisë sonë. Inspektorati ka funksionuar me vetëm 25 inspektorë, një numër që nuk përkon me barrën e madhe që mbart ky institucion. Megjithatë, me përkushtim e profesionalizëm, ju e keni mbajtur funksional një nga mekanizmat më të rëndësishëm të sistemit arsimor,” – tha Kurti.
Kryeministri në detyrë bëri të ditur se si rezultat i përpjekjeve të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, janë shtuar 22 inspektorë të rinj, me qëllim forcimin e pranisë së Inspektoratit në terren dhe mbështetjen më të madhe për institucionet arsimore.
“Si rezultat i angazhimit tonë, kemi shtuar 22 inspektorë të rinj që do t’i japin sistemit arsimor më shumë mbështetje dhe do të përmirësojnë cilësinë e mbikëqyrjes,” – deklaroi ai.
Kurti theksoi gjithashtu se investimet në arsim kanë qenë të vazhdueshme dhe të orientuara drejt përmirësimit të kushteve të mësimdhënies e mësimnxënies — nga ndërtimi dhe renovimi i shkollave, pajisjet bashkëkohore, deri te zhvillimi profesional i mësimdhënësve.
“Të gjitha këto investime janë edhe në favor të Inspektoratit. Sa më i fortë të jetë themeli i sistemit arsimor, aq më e lehtë bëhet puna e inspektimit dhe aq më pak ndërhyrje do të jenë të nevojshme,” – përfundoi Kurti.