Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërthyer në kritika ndaj aktivistes suedeze Greta Thunberg, pas deportimit të saj nga Izraeli, ku ishte pjesë e një misioni humanitar që tentoi të thyente bllokadën detare të Gazës.
Në një deklaratë për gazetarët nga Zyra Ovale, Trump e quajti Thunberg “shkaktare problemesh” dhe vuri në dyshim motivet e saj, duke u shprehur se ajo “nuk shqetësohet më për mjedisin, por tani për çështje të tjera”.
“Ajo ka një problem me menaxhimin e nervave. Mendoj se duhet ta vizitojë një mjek. Është shumë e zemëruar, është shumë e çmendur”, tha Trump, në një deklaratë që ngjalli reagime të menjëhershme në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare.
Thunberg u deportua nga Izraeli së bashku me 135 aktivistë të tjerë të Flotiljes Globale “Sumud”, të cilët u ndaluan nga marina izraelite gjatë përpjekjes për të dërguar ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
Pas mbërritjes në Athinë të hënën, Thunberg i tha mediave se qëllimi i misionit ishte thellësisht humanitar dhe se veprimet e Izraelit përbëjnë, sipas saj, “përpjekje për të zhdukur një popull të tërë”.
“Izraeli po përpiqet të zhdukë një popullsi të tërë”, u shpreh ajo, duke iu referuar situatës në Gaza.
Thunberg shtoi se ajo dhe pjesëtarët e flotiljes u përballën me trajtim çnjerëzor gjatë ndalimit nga autoritetet izraelite, por theksoi se “nuk është kjo historia e rëndësishme – fokusi duhet të mbetet tek populli i Gazës dhe kriza humanitare që po përjeton”.