Përurimet politike të Shaqir Totajt – si në kohën e komunizmit

by engel

Shkrim autorial

Sot u bë përurimi i shkollës së re, SHFMU “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, në fshatin Mazrrek të Hasit.
Urime nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve – e gëzofshi shkollën e re!

banner

Banorët e fshatit Mazrrek janë ndier të anashkaluar nga Shaqir Totaj dhe vartësit e tij, të cilët, për hir të realitetit, vendosën t’i drejtohen redaksisë sonë.

Dëshirojmë t’i bëjmë me dije Shaqir Totajt dhe vartësve të tij, të cilët u sollën sikur ta kishin ndërtuar këtë shkollë me paratë e tyre, se pa përkushtimin dhe punën paraprake të komunitetit të fshatit Mazrrek – me në krye drejtorin e atëhershëm të shkollës, z. Osman Jahaj – kjo shkollë nuk do të ishte ndërtuar.

Le ta dijë Shaqir Totaj dhe opinioni i gjerë se, po të mos i kishim përfunduar disa çështje të rëndësishme më herët, ai as nuk do të kishte mundur të hidhte gurthemelin, e as të priste shiritin e përurimit. Do të ishte kthyer mbrapsht nga ish-pronari i truallit ku ndodhej shkolla, njësoj siç kishte ndodhur më herët me ish-kryetarin e komunës, Ramadan Mujën.

Shkolla jonë, deri në vitin 2018, ishte e ndërtuar në pronën e z. Musë Duraj, i cili kishte premtuar të dhuronte vetëm 11 ari për shkollën, por ato vazhdonin të figuronin në emrin e tij. Ai më herët kishte deklaruar se trualli ishte i tij dhe askush nuk mund të ndërtonte shkollë pa lejen e tij.

Falë bashkëpunimit të mirë ndërmjet udhëheqësisë së atëhershme të shkollës dhe asaj të fshatit, arritëm që, përveç 11 arëve të premtuara, me një pagesë simbolike prej më pak se 10 mijë eurosh (të mbledhura nga prindërit), ta bëjmë pronë të shkollës edhe pjesën tjetër të truallit të z. Duraj dhe ta bartim në emër të shkollës.
Në këtë tokë u ndërtua shkolla e re, e cila sot ka në pronësi të vet 33 ari.

Gjatë kësaj periudhe u realizua edhe projekti i ndërtimit të shkollës së re dhe u shpall tenderi për punimet, por me përhapjen e pandemisë COVID-19 dhe rritjen e çmimeve, tenderi u anulua pavarësisht se ishte përzgjedhur ofertuesi fitues.

Për të gjitha këto përpjekje dhe angazhime, Shaqir Totaj nuk e gjeti të arsyeshme të shprehte asnjë falënderim për udhëheqësinë e atëhershme të shkollës apo për prindërit e fshatit Mazrrek.

Erdhën, prenë shiritat vetë dhe u larguan – pa asnjë shenjë mirënjohjeje për komunitetin që e bëri të mundur ndërtimin e kësaj shkolle.

Nga udhëheqësia e mëhershme e shkollës:
ish-drejtori Osman Jahaj dhe
Kryesia e mëhershme e fshatit, ish-kryetari Ibish Duraj.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy