Nrec Zefaj, aktualisht anëtar i Kuvendit Komunal të Klinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), po garon edhe në zgjedhjet e 12 tetorit për një mandat në Asamblenë Komunale.
Me profesion ekonomist, Zefaj është në përfundim të studimeve master në drejtimin Politika Publike dhe Menaxhment, ndërsa prej më shumë se një dekade është i angazhuar në sektorin bankar, ku aktualisht ushtron detyrën e menaxherit.
Angazhimi i tij politik në LDK daton që nga vitet e hershme të rinisë, fillimisht si anëtar i Forumit Rinor të LDK-së, e më pas si kryetar i nëndegës së Zllakuqanit për dhjetë vjet. Për gjashtë vitet e fundit, Zefaj mban postin e nënkryetarit të degës së LDK-së në Klinë, duke qenë një ndër figurat më aktive të kësaj partie në nivel lokal.
Në mandatin e fundit, ai është dalluar si asambleisti më i votuar nga radhët e LDK-së, duke u vlerësuar për përfaqësimin e përgjegjshëm dhe profesional të interesave të qytetarëve të Klinës.
Në njoftimin për rikandidimin, Zefaj thekson se synon të vazhdojë angazhimin e tij për zhvillimin e komunës, forcimin e transparencës dhe përmirësimin e shërbimeve publike, duke u bazuar në përvojën e fituar në sektorin publik e privat.
“Për mua, angazhimi politik është shërbim ndaj qytetarëve. Klinës i duhet vazhdimësia e punës së mirë dhe përfaqësim i denjë në çdo vendimmarrje. Do të jem aty për t’i dëgjuar dhe përfaqësuar qytetarët me përkushtim e profesionalizëm,” ka deklaruar Zefaj.
Me vizion të qartë për zhvillimin e Klinës dhe me besimin e qytetarëve që e kanë mbështetur ndër vite, Nrec Zefaj ka hyrë në garë për një mandat të ri në Asamblenë Komunale, si pjesë e ekipit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.