Në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, skena politike në Pejë është tensionuar nga përplasjet mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
AAK ka akuzuar LDK-në dhe kryetarin aktual të komunës, Gazmend Muhaxherin, për “presion të organizuar ndaj bizneseve” në qytet. Në një reagim të publikuar nga dega e AAK-së në Pejë, thuhet se “eksponentë të LDK-së dhe familjarë të kryetarit Muhaxheri, të shoqëruar nga punëtorë të inspektoratit dhe militantë partiakë, kanë ushtruar presion në biznese për të kërkuar votën për LDK-në”.
Sipas AAK-së, raportime anonime nga disa biznese në Qarshi të Gjatë pohojnë se janë vizituar nga përfaqësues të afërt me LDK-në.
“Presioni në degën tonë po raportohet direkt dhe në kushte anonimiteti nga bizneset e qarshisë së gjatë. Peja nuk e meriton t’i fyhet inteligjenca. Më 12 tetor sovrani le të flasë i lirë”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Por Lidhja Demokratike e Kosovës në Pejë i ka quajtur këto pretendime “shpifje dhe propagandë të dëshpëruar” nga një parti që, sipas tyre, po përballet me braktisje të elektoratit dhe frikë nga humbja.
Në kundërpërgjigjen e saj, LDK ka theksuar se asnjë presion ndaj bizneseve nuk është ushtruar dhe se inspektimet e përmendura nga AAK “ mund të jenë janë kryer nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e cila nuk është nën kompetencën e komunës së Pejës”.
“Presioni, frikësimi dhe shantazhi nuk janë metoda që përfaqësojnë vlerat e LDK-së — përkundrazi, janë praktika që qytetarët e Pejës i kanë përjetuar për vite me radhë pikërisht nga AAK”, thuhet në reagimin e degës së LDK-së në Pejë.
LDK ka theksuar se bizneset e qytetit “e njohin përkushtimin e kryetarit Muhaxheri për zhvillim, infrastrukturë dhe mbështetje për bujqësinë”, ndërsa ka bërë thirrje që qytetarët “të mos bien pre e propagandës së ulët elektorale”.
Përplasja vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale të së dielës, ku gara për komunën e Pejës pritet të jetë ndër më të ndjekurat në vend.