Edhe pse për muaj të tërë ambasadat e vendeve të QUINT-it dhe organizatat ndërkombëtare në Kosovë kanë kërkuar me ngulm konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës, asnjëra prej tyre nuk ka reaguar pas shpalljes së tij si të konstituuar.
Kuvendi u shpall i konstituuar nga kryesuesi Dimal Basha, i cili njëkohësisht propozoi Nenad Rashiqin për postin e nënkryetarit serb të Kuvendit. Rashiq u zgjodh si nënkryetar i pestë, megjithëse pa mbështetjen e votave nga komuniteti serb.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar ambasadat për të marrë qëndrimet e tyre lidhur me këtë zhvillim, por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.
Po ashtu, në rrjetet sociale nuk është shënuar asnjë reagim apo përshëndetje nga përfaqësitë diplomatike të vendeve të QUINT-it lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

