Ndërsa një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës është në diskutim e sipër, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka paralajmëruar për sfida të mëdha në fazën e ardhshme të procesit: lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë.
Zëdhënësi i lartë i KNKK-së, Christian Cardon, tha për mediat ndërkombëtare se operacioni i planifikuar është “më sfidues se marrëveshjet e mëparshme”, për shkak të shkallës së gjerë dhe nevojës për shpejtësi.
“Afati kohor prej 72 orësh për lirimin e pengjeve është jashtëzakonisht i ngushtë,” – deklaroi Cardon.
KNKK ka luajtur një rol thelbësor në shkëmbimet e mëparshme gjatë armëpushimeve të kaluara, dhe pritet të jetë i përfshirë sërish, megjithëse organizata ende nuk ka marrë detaje konkrete mbi mënyrën e organizimit të këtij operacioni.
“Kolegët tanë po përgatiten për të gjithë skenarët e mundshëm,” – shtoi ai.
Ndërkohë, shteti i Izraelit ka publikuar listën e 1,950 të burgosurve palestinezë që planifikon të lirojë si pjesë e marrëveshjes së pritshme. Në listë nuk përfshihen figura të profilit të lartë, si Marwan Barghouti, një nga liderët më të njohur të lëvizjes Fatah.

