Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përmbyllur fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit me një tubim të madh në Prishtinë, ku në qendër të vëmendjes ishte kandidati i saj për kryetar të kryeqytetit, Përparim Rama.
Në një atmosferë entuziazmi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shprehu bindjen se Prishtina “do të vazhdojë të jetë e kaltër” edhe për katër vitet e ardhshme, duke theksuar se qeverisja e deritanishme e Ramës ka sjellë zhvillime të prekshme në arsim, infrastrukturë dhe urbanizëm.
“Prishtina do të vazhdojë të jetë me LDK-në, me Përparim Ramën. Fushata jonë ishte e ndershme, e vërtetë, e njerëzve që punojnë dhe besojnë. Katër vite më parë sollëm një kryetar ndryshe, njeriun e punës konkrete, jo të fjalëve. Me Përparimin kemi parë Prishtinën që beson e nuk kthehet pas”, deklaroi Abdixhiku, duke e cilësuar Ramën si simbol të qeverisjes me vizion e dinjitet.
Ai përmendi si shembull konkret projektin e mësimit tërëditor në shkolla, që sipas tij ka lehtësuar jetën e prindërve dhe ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë e arsimit në kryeqytet.
Në fjalën e tij para simpatizantëve, Përparim Rama falënderoi qytetarët për mbështetjen gjatë katër viteve të para të mandatit dhe theksoi se ndjehet i përmbushur nga rezultatet e arritura.
“Sot vij para jush jo me premtime, por me fakte. Katër vite të mbushura me mbi 1,000 projekte që kanë prekur çdo lagje, çdo rrugë e çdo familje. Mbi 700 rrugë të ndërtuara e asfaltuara, 12 shkolla me mësim tërëditor dhe qindra hapësira të reja publike. Këto nuk janë premtime, por realiteti që kemi ndërtuar bashkë”, tha Rama.
Ai shtoi se gjatë mandatit të tij është fokusuar në krijimin e një Prishtine funksionale, moderne dhe të gjelbër, duke e kthyer qytetin në një hapësirë më të jetueshme për të gjithë.
“E kam nisur këtë rrugëtim me bindjen se Prishtina nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, por për punë të përditshme. Dhe sot, me përvojë e përkushtim, jam gati ta çoj përpara këtë vizion. Sepse unë nuk erdha për pushtet, por për qytet”, përfundoi Rama, mes duartrokitjeve të qytetarëve të pranishëm.
Fushata përmbyllëse e LDK-së në Prishtinë u karakterizua nga një frymë uniteti dhe optimizmi, me theks të veçantë në vazhdimësinë e projekteve të nisura nga administrata e Përparim Ramës.

