Me zgjedhjen e deputetit serb, Nenad Rashiq, si nënkryetar i kuvendit është konstituuar legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës.
Në lidhje me këtë, analisti Rrahman Paçarizi, është shprehur se e mira nga ajo që ka ndodhur sot është që nisin të rrjedhin afatet kushtetuese për formimin e qeverisë.
“Nuk e di nëse do të arrihet deri atje apo do të kontestohet sërish në Gjykatën Kushtetuese e cila mund të vendosë masë të sigurisë sepse ka mundësi interpretimi të krejt kësaj që ka ndodhur pasi nuk është hedhur shorti”.
“Shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk kanë refuzuar të kandidohen, i kanë kandiduar të gjithë të vetët dhe nuk kanë fituar. Në këtë kuptim, shumica ka dështuar në një mënyrë. Shumica s’ka bërë shkelje, por ka dështuar që ta zgjedh nënkryetarin e komunitetit serb”, tha Paçarizi në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se me zgjedhjen e Rashiqit si nënkryetar i kuvendit nuk është bërë dëm i madh pasi u shpreh se kur e ke “Dimal Bashën kryetar kuvendi, më marre nuk bëhet”.
“Nuk është bërë ndonjë dëm i madh sepse në fund të fundit kur e ke Dimal Bashën kryetar të kuvendit, këdo ta vendosësh aty është njëjtë, më marrë nuk bëhet në Kuvendin e Kosovës”.
“Kemi një situatë problematike që mund të prodhojë ndonjë gjë të keqe. Shpresoj që Lista Serbe ta dërgojë në Kushtetuese, të vendoset një masë e sigurisë. Nuk ka ndonjë dallim prej Rashiqit dhe të tjerëve, përveç se Rashiqi ka qenë më i integruar se deputetët e Listës Serbe apo se Lista Serbe”, tha ai.

