Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka caktuar Nenad Vukmiroviqin ushtrues të detyrës së Ministrit për Komunitete dhe Kthim, pas zgjedhjes së Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Vukmiroviq deri më tani ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit në të njëjtin dikaster.
Kush është Nenad Vukmiroviq?
I lindur në Mitrovicën e Veriut në prill të vitit 1979, Vukmiroviq është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës dhe informatikës. Arsimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në qytetin e lindjes, ndërsa më herët ka mbajtur edhe pozitën e Drejtorit të Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti e ka uruar Vukmiroviqin për detyrën e re dhe i ka dëshiruar suksese në përmbushjen e përgjegjësive që e presin në këtë funksion.