5 raste janë iniciuar gjatë ditës së djeshme për vepra penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor që u mbajt në të gjitha komunat e Kosovës.
Policia përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se në Graçanicë është arrestuar një person pasi dyshohet se e ka fotografuar fletëvotimin dhe ka deklaruar se për këtë i janë ofruar 50 euro.
“DHËNIE OSE MARRJE E RYSHFETIT NË LIDHUR ME VOTIME – Graçanicë / 12.10.2025 – N.N Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se kishte fotografuar fletën e votimit dhe i njëjti deklaron se per këtë i janë ofruar 50 euro. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”
Në Kllokot një grua dyshohet se ka lëshuar raporte mjekësore për asistencë gjatë procesit të votimit.
“CENIMI I PËRCAKTIMIT TË LIRË TË VOTUESVE- Kllokot/ 12.10.2025 – N.N. E dyshuara femër kosovare dyshohet se ka lëshuar raporte mjekësore për asistencë gjatë procesit të votimit, e njëjta është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës me dyshimin se me veprimet e saja ka kryer veprën penale. Veprimet e mëtejshme hetimore janë ndërmarr në koordinim me Prokurorin e Shtetit, përderisa rasti vazhdon te trajtohet ne procedure te rregullt.”
Në stacionin policor në Prizren janë shoqëruar dy persona, njëri dyshohet se ia ka dhënë tjetrit 120 euro që të votohet një person i caktuar.
“DHËNIE OSE MARRJE E RYSHFETIT NË LIDHUR ME VOTIME- Prizren / 12.10.2025 – N.N. Janë shoqëruar në stacionin policor dy të dyshuar meshkuj kosovarë, njëri në cilësine e dhënësit dhe tjetri te marrësit të nje shume prej 120 euro në mënyrë që të votohet personi i caktuar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar në procedurë të rregullt.”
Një burrë është arrestuar në Istog pasi dyshohet se i ka marrë 10 euro që ta votojë një person të caktuar
“DHËNIE OSE MARRJE E RYSHFETIT NË LIDHUR ME VOTIM- Istog / 12.10.2025 – NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se ka marr 10 euro që të voton personin e caktuar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.”
Ndërsa në Mitrovicë një person dyshohet se e ka fotografuar votën.
“CENIM I FSHETËSISË SË VOTMIT- Mitrovicë / 12.10.2025 – N.N. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e cekur duke fotografuar votën e tij. I dyshuari është intervistuar dhe më pas me urdhër të prokurorit është liruar në procedure të rregullt.”