Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe garën demokratike, si dhe duke uruar kundërkandidatin e tij, Ramiz Lladrovci, për fitoren.
Në një reagim të bërë publik, Hajdari ka theksuar se gjatë fushatës ka bërë të gjitha përpjekjet për t’i ofruar komunës një qeverisje të mirë, në të cilën ka besuar fort.
“Ju falënderoj nga zemra për garën e jashtëzakonshme dhe demokratike që zhvilluam së bashku dje. Përgjatë kësaj fushate, kam bërë çdo përpjekje njerëzore për t’i sjellë Drenasit një qeverisje të mirë, në të cilën kam besuar fort”, ka shkruar Hajdari.
Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët që e kanë votuar dhe besuar në vizionin e tij, duke theksuar se respekton vullnetin e shprehur përmes kutive të votimit.
“Demokracia është kështu, me gara dhe me respekt ndaj verdiktit të qytetarëve. E pranoj me dinjitet rezultatin dhe e uroj kundërkandidatin tim, Ramiz Lladrovci, për fitoren”, ka shtuar ai.
Në fund, Petrit Hajdari ka uruar që Komuna e Drenasit të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe të përparimit në të ardhmen, duke falënderuar edhe një herë qytetarët për mbështetjen gjatë fushatës zgjedhore.