Fatmir Sheholli në gjendje të rënduar shëndetësore, dërgohet për trajtim në QKUK

by engel

Fatmir Sheholli, i arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të “spiunazhit”, është transferuar nga Qendra Spitalore e Gjilanit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në avokati i tij mbrojtës, Mentor Neziri, i cili tha se Shehollit aktualisht po i bëhen ekzaminimet e nevojshme mjekësore nga stafi i QKUK-së.

banner

Sheholli u arrestua nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nën dyshimin se është përfshirë në veprën penale të spiunazhit, në bazë të nenit 124, paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë tashmë ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli dyshohet se është rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë (BIA) dhe ka vepruar nën urdhrat e zyrtarit të këtij shërbimi, Bojan Dimiq. Ai akuzohet se ka mbledhur informacione për pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe i ka përcjellë ato përmes komunikimeve telefonike te zyrtarët e inteligjencës serbe.

Në dosje gjithashtu përmendet se më 26 shtator 2025, në Mitrovicë të Veriut, Sheholli dyshohet se ka marrë materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat konsiderohen komprometuese.

Prokuroria ka deklaruar se, përmes këtyre veprimeve, i dyshuari dyshohet se ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, duke ndihmuar një shërbim të huaj inteligjent në dëm të interesave shtetërore.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy