Një moment historik është shënuar sot në Lindjen e Mesme, pasi Presidenti amerikan Donald Trump, së bashku me liderët e Turqisë, Egjiptit dhe Katarit, kanë nënshkruar deklaratën e paqes për Gazën, duke zyrtarizuar planin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në këtë rajon.
Ceremonia u mbajt në një atmosferë solemne, ku katër liderët, të ulur krah për krah, firmosën dokumentin që synon t’i japë fund një prej konflikteve më të gjata dhe më të përgjakshme në historinë moderne të Lindjes së Mesme.
“Na janë dashur 3,000 vjet për të arritur në këtë pikë. A mund ta besoni? Dhe kjo marrëveshje do të qëndrojë,” deklaroi Trump, duke theksuar rëndësinë historike të momentit.
Pas nënshkrimit, liderët ngritën dokumentet e firmosura përpara mediave ndërkombëtare, si simbol i përkushtimit të përbashkët për paqe dhe stabilitet në rajon.
Në një deklaratë të veçantë nga Egjipti, presidenti amerikan konfirmoi se puna për gjetjen e trupave të pengjeve izraelite të vrarë është ende në zhvillim.
“Jo të gjitha trupat e pengjeve të vrarë janë gjetur dhe rikuperuar ende. Po punojmë për t’i gjetur të gjitha, rreth 28 prej tyre,” tha Trump, pa dhënë detaje se cilat ekipe po e kryejnë këtë proces.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shihet si një hap vendimtar drejt përfundimit të konfliktit në Gaza dhe si një fitore diplomatike për administratën amerikane, e cila ka ndërmjetësuar intensivisht mes palëve për muaj të tërë.