Profesori amerikan i Universitetit John Hopkins, Edward P. Joseph, ka publikuar një artikull të gjatë analitik rreth asaj që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës dhe për efektet zingjirore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, konkretisht në Kosovë dhe Serbi, shkruan Gazeta Express.
Joseph ka propozuar një zgjidhje të bazuar në modelin e Kosovës për rajonin e Donbasit dhe shkëputjen e Serbisë nga Rusia përmes ofrimit të anëtarësimit në NATO.
Ndonëse e vështirë, Joseph thotë se presidenti amerikan, Donald Trump, në rast se do të mundësonte anëtarësimin e Serbisë në NATO, një gjë e tillë do të nënkuptonte që futjen e vendit më të madh destabilizues në rajon nën ombrellën e Perëndimit.
Kjo, sipas Joseph, do të bënte që rajoni të mos jetë më një shesh loje për luftën hibride ruse.
“Me vendin më të madh dhe më destabilizues në Ballkan që më në fund është në kampin perëndimor, Trump mund të marrë meritat për mbylljen e të gjithë dramës 35-vjeçare mbi Jugosllavinë. Ballkani i paqëndrueshëm nuk do të shërbejë më si një shesh lojërash për luftën hibride ruse, ekonominë kineze, ose të vuajë si një “zonë gri” për krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe kërcënime të tjera të sigurisë”, ka shkruar Joseph.
Joseph në këtë shkrim përmend edhe ofertën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, gjë që sipas tij do të demonstronte se NATO merr vendime strategjike, qoftë për Ballkanin, qoftë për krahun Lindor.
Sipas profesorit amerikan, një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm presidenti amerikan, Donald Trump, meqë ka edhe një përkrahje në Serbi. Joseph tutje shkruan se Trump mund të ftojë udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës në Zyrën Ovale, si në mandatin e parë, për të nënshkruar kushtet e anëtarësimit.
“Me talentin e tij për spektakël, Trump do të ftojë udhëheqësit e Serbisë dhe të Kosovës në Zyrën Ovale – siç bëri në mandatin e tij të parë – për të nënshkruar angazhimet e anëtarësimit (të kushtëzuara nga reformat e kërkuara nga NATO dhe procesi i pranimit) dhe marrëveshjen themelore të paqes që i ka shpëtuar të gjithë paraardhësve të Trump që nga Presidenti Clinton”,ka shkruar Joseph.
Në një marrëveshje të tillë të Trump, Joseph parasheh edhe përfshirjen zyrtare të Marrëveshje së Brukselit për Normalizim mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të Implementimit.
Për Joseph, vetëm oferta për anëtarësim në NATO do të mund të bindte drejtuesit e Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti, për të mundësuar një lloj vet-qeverisjeje për serbët e Kosovës dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Marrëveshja Historike e Presidentit Trump midis Kosovës dhe Serbisë do të kodifikojë gjithashtu zyrtarisht Marrëveshjen e fjetur të Normalizimit të BE-së midis Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Shtojcën e saj. Vetëm oferta e anëtarësimit në NATO – alfa dhe omega për shqiptarët e Kosovës – do të bindë çdo Kryeministër të Kosovës, përfshirë Kryeministrin në detyrë , Albin Kurti, që më në fund të krijojë një masë vetëqeverisjeje për serbët e Kosovës. Duke pasur një rrugë për t’u bashkuar me NATO-n, Kurti ose çdo Kryeministër i Kosovës mund të plotësojë kërkesën e kahershme të Beogradit dhe të nënshkruajë draftin e statutit të BE-së duke krijuar “Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, shkruan ndër të tjera Joseph