Lufta e Rusisë në Ukrainë është e keqe për bizneset amerikane, të cilat kanë investuar shumë në Evropë dhe fitimet e të cilave preken nga pasiguria që krijon agresioni i Moskës, tha të martën Komisioneri Ekonomik Evropian Valdis Dombrovskis.
Duke folur në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve në Uashington, Dombrovskis tha se në vitin 2023, asetet në pronësi të SHBA-së në Evropë vlerësoheshin në rreth 19.2 trilionë dollarë, ose afërsisht 64% e të gjitha aseteve të huaja të korporatave amerikane në nivel global. Shitjet nga degët evropiane të kompanive amerikane ishin 3.9 trilionë dollarë.
“Për interesat e korporatave amerikane, Evropa – si një treg, një mori asetesh dhe një lidhje thelbësore në zinxhirët e integruar të furnizimit – është thjesht shumë e madhe për t’u injoruar”, tha Dombrovskis në një fjalim.
Bashkimi Evropian e sheh pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia që nga shkurti i vitit 2022 si një kërcënim për sigurinë e saj dhe ka rritur fuqishëm përpjekjet e saj mbrojtëse për të penguar një sulm të mundshëm rus.
“Agresioni i (Presidentit rus Vladimir) Putin, kërcënimet e tij, sulmet e tij brutale me raketa dhe dronë Shahed ndaj civilëve, sulmet e tij hibride ndaj infrastrukturës kritike e kështu me radhë, nuk janë vetëm krime të neveritshme dhe një zemërim moral, ato janë gjithashtu të këqija për biznesin”, tha Dombrovskis.