Komuna e Malishevës ka njoftuar se sot u përkujtua 21-vjetori i ngjarjes më tragjike në Kosovën e pasluftës, ku në një aksident tragjik në Fushë-Arrëz humbën jetën 15 maturantë të Gjimnazit “Abdyl Frashëri” nga Malisheva.
Sipas njoftimit, në shenjë respekti e kujtimi, janë zhvilluar nderime dhe homazhe në vendin e ngjarjes në Fushë Arrëz, si dhe te varrezat e tyre në “Lëndinën e lotëve” në Malishevë.
Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati i shoqëruar nga familjarë të maturantëve, ish-nxënës, ish-profesorë dhe zyrtarë të tjerë komunalë, së bashku me zyrtarë të Bashkisë së Fushë Arrëzit, kanë bërë homazhe në vendin ku ka ndodhur aksidenti.
Ndërkaq, në “Lëndinën e lotëve” në Malishevë, nënkryetari i Komunës, Vesel Krasniqi, së bashku me zyrtarë të tjerë komunalë, familjarë të maturantëve, profesorë dhe nxënës të Gjimnazit “Hamdi Berisha”, kanë bërë homazhe dhe kanë nderuar kujtimin e 15 maturantëve, të cilët prehen në këtë vend.