Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar për ecurinë e procesit të numërimit në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në nivel vendi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi po zhvillohet sipas planifikimit dhe në përputhje me afatet e përcaktuara në të gjitha komunat e Kosovës.
“Sipas informacioneve nga komunat e ndryshme, procesi i numërimit është duke vazhduar normalisht në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit. Deri në orën 16:00 të ditës së martë, procesi ka përfunduar në tri qendra: Junik, Mamushë dhe Zveçan. Ndërkohë, në Han të Elezit është mbyllur të hënën në mbrëmje,” tha Elezi.
Ai shtoi se në të njëjtën kohë ka nisur puna edhe në disa qendra të tjera. “Po ashtu, në orën 16:00 të ditës së martë ka filluar puna edhe në tri QKN të tjera: në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot.”
Elezi sqaroi se në këto qendra zhvillohen paralelisht tre procese kryesore:
Verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave,
Verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale,
Numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Sipas të dhënave më të fundit nga KQZ, procesi ka avancuar ndjeshëm.
“Deri në orën 16:00 janë verifikuar rezultatet për 550 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, si dhe rezultatet për subjektet politike nga 334 vendvotime për Kuvendet Komunale. Gjithashtu, nga po kaq vendvotime, 334, janë numëruar edhe votat e kandidatëve për Kuvendet Komunale,” bëri të ditur Elezi.
KQZ ka njoftuar se të dhënat e përditësuara nga Qendrat Komunale të Numërimit tashmë janë duke u publikuar në platformën zyrtare të rezultateve.
“Të dhënat që publikohen përfshijnë rezultatet e verifikuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, rezultatet e subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale, si dhe votat e kandidatëve për këto kuvende,” përfundoi zëdhënësi i KQZ-së./EO