Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se u ka revokuar vizat gjashtë shtetasve të huaj për shkak të komenteve që kanë bërë në rrjetet sociale në lidhje me vrasjen e aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk.
“SHBA nuk ka asnjë detyrim të mirëpresë të huaj që urojmë vdekjen e amerikanëve,” thuhet në një postim zyrtar të Departamentit të Shtetit në platformën X .
Sipas autoriteteve amerikane, personat që kanë humbur vizën janë nga Argjentina, Afrika e Jugut, Brazili, Paraguaji dhe Meksika. Emrat e tyre nuk janë bërë publik, por janë shpërndarë pamje të komenteve që ata kanë bërë online.
Një shtetas argjentinas kishte shkruar se Kirk “e kaloi jetën duke përhapur racizëm, urrejtje ndaj të huajve dhe ndaj grave, dhe meriton të digjet në ferr”. Departamenti i Shtetit konfirmoi se këtij personi i është revokuar viza.
Lajmi për revokimin e vizave u publikua pak orë pasi presidenti Donald Trump i dha Charlie Kirk-it Medaljen Presidenciale të Lirisë pas vdekjes së tij. Ceremonia u mbajt në Shtëpinë e Bardhë, ku medalja iu dorëzua gruas së tij, Erika Kirk.
Charlie Kirk, 31 vjeç, ishte bashkëthemelues i organizatës konservatore për studentë “Turning Point USA” dhe njihej si një nga zërat më të fuqishëm të të djathtës në politikën amerikane. Ai u vra me armë në shtator gjatë një tubimi politik.