Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për procesin zgjedhor të 12 tetorit.
Pas mbledhjes së Kryesisë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka mbajtur një konferencë për media, ku theksoi se zgjedhjet lokale shpërfaqën qartë se PDK përfaqëson modelin më të mirë të qeverisjes lokale në Kosovë.
Krasniqi theksoi se PDK është e vetmja parti që ka shënuar rritje të votave në kuvendet komunale, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021:
“Të dielën, Kosova foli. Dhe mesazhi i qytetarëve ishte i qartë: PDK është modeli më i mirë i qeverisjes lokale në Kosovë. Këto ishin zgjedhjet e dyta lokale me radhë në të cilat Partia Demokratike e Kosovës ka dalë fituese, duke marrë besimin qytetar dhe numrin më të madh të asamblistëve, ndërsa kësaj radhe edhe votën popullore. Kjo është një fitore e qytetarëve, e përgjegjësisë dhe e punës konkrete që PDK ka dëshmuar me kandidatët e saj anembanë Kosovës, e veçanërisht në komunat ku kemi qeverisur.”
Ai shtoi se PDK ka marrë rreth 180 mijë vota si parti, dhe është e vetmja me rritje të votës krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Sipas tij, mbi 200 mijë vota janë dhënë për kandidatët e PDK-së për kryetarë komunash, çka dëshmon për mbështetjen e madhe qytetare për ta.
“Siç e dini tashmë, në tri komuna – Ferizaj, Skenderaj dhe Hani i Elezit – fituam pa balotazh, qartë dhe bindshëm. Ndërkaq, në gjashtë të tjera – Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash – garojmë për fitore në raundin e dytë.”
Krasniqi tha se PDK është rikthyer si forcë kryesore politike edhe në kryeqytet, pas më shumë se dy dekadash.
“Kemi marrë rreth 29 mijë vota për kryetar – mbi 10 mijë më shumë se para katër vitesh – ndërsa kemi dalë forca e dytë më e madhe politike, para Vetëvendosjes, në një garë të pabarabartë kundër pushtetit lokal dhe atij qendror. Kjo është një fitore që dëshmon rritje, organizim dhe besim. Tani do të përqendrohemi në balotazhe. Të përfundojmë punën me dinjitet dhe me fitore. Dhe ne do ta përmbyllim me sukses këtë mision.”
Lideri i PDK-së tha se ky rezultat dhe këto fitore janë dëshmi e qëndrueshmërisë, e besimit dhe e vlerave të kësaj partie, të trashëguara nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli:
“Në fund, dua të shpreh dedikimin tim më të sinqertë për themeluesit e PDK-së, për ish-kryetarët Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët padrejtësisht ende po mbahen në Hagë. Ata janë pjesë e frymës së fitores tonë. Me këtë rast, ftoj bashkëqytetarët dhe shqiptarët kudo që janë, që të marrin pjesë në protestën në mbështetje të çlirimtarëve që mbahet pasnesër në Tiranë. Faleminderit të gjithëve për besimin”, theksoi Krasniqi.