Para se të paraqitet simbolikisht në zyrën e PDK-së, siç ka paralajmëruar vetë, kryetari i Komunës së Drenasit dhe fitues i zgjedhjeve të fundit, Ramiz Lladrovci, deklaroi se ka qenë dhe mbetet anëtar i disiplinuar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Lladrovci reagoi ndaj deklaratës së kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili, duke komentuar rezultatin zgjedhor në Drenas, kishte thënë se fitorja e Lladrovcit ishte e mundur falë votave të Lëvizjes Vetëvendosje.
Duke iu përgjigjur kësaj deklarate, Lladrovci theksoi se në fakt ka arritur ta ulë ndikimin e VV-së në Drenas, duke reduktuar numrin e asamblistëve të saj nga pesë në dy.
“Asnjë betejë nuk e kam humbur në jetën time. Nuk e di çka ka folur në konferencë. Ia bëj me dije se ka katër vjet që e kam ulur Vetëvendosjen në Drenas, sepse njerëzit e Vetëvendosjes na janë bashkuar prej kohësh. Nga pesë asamblistë të VV-së, tani kanë mbetur vetëm dy. Unë kam qenë, jam dhe mbetem anëtar i devotshëm e disiplinuar i PDK-së,” deklaroi Lladrovci para mediave.