Partia Demokratike e Shqipërisë ka bërë me dije se nuk do dërgojë përfaqësues të saj në protestën 17 tetorit që do të zhvillohet në Tiranë, në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.
Sipas PD-së, arsyeja se pse nuk do të marrë pjesë, është prania e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, sipas demokratëve është autor i një sërë goditjesh ndaj Kosovës.
“Ne e konsiderojmë Luftën e UÇK një luftë çlirimtare të një populli të pushtuar. I konsiderojmë të pafajshëm krerët e UÇK dhe shpresojmë e lutemi për pafajësinë e tyre. Por ne nuk mund të jemi bashkë me kreun e Narkos që i ka futur thika pas shpine Kosovës sa herë që i është dhënë mundësia, me atë që Kosovës i vendosi sanksione kur asnjë vend tjetër s’e sanksiononte.
Ne nuk mund të jemi bashke me atë që Veriun e Kosovës e quajti “Tokë e Askujt”. Ne nuk mund të jemi bashkë me vëllain e Vuçiçit që për makiazh të imazhit të tij antishqiptar tenton të përdorë Luftën e UÇK e krerët e saj”,- thuhet në reagimin e PD-së.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se të premten (17 tetor) të gjithë shqiptarët duhet të jenë bashkë në qendër të kryeqytetit, përtej ndasive dhe bindjeve politike e partiake.
“Ne shqiptarëve na karakterizon atdhedashuria dhe solidariteti dhe të jemi të gjithë së bashku të premten në sheshin Skënderbej për të dërguar një mesazh solidariteti ndaj 4 komandantëve të UÇK, por edhe të gjithë gjakut të UÇK të rënë në betejë”,- tha Balla.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka njoftuar se kryeministri Rama do të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare që do të mbahet me 17 tetor në orën 17:00 në Tiranë.
Më tej, kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati ka bërë me dije se gjatë tubimit do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Gucati tregoi se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë.
Protestë e ngjashme u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.