Këshilltari i kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se në takimin e mbajtur dje mes Kurtit dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila vizitoi Kosovën, është diskutuar gjerësisht për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Zulfaj theksoi se pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, tashmë janë bërë pothuajse tri vjet, dhe ende nuk ka pasur përgjigje nga BE-ja për dhënien e pyetësorit – hapin e parë formal drejt statusit të kandidatit për anëtarësim.
“Nuk ka asnjë parakusht për dhënien e pyetësorit. Kosova është e vetmja që nuk e ka marrë ende këtë dokument, dhe kjo ishte një nga temat kryesore të diskutimit. Ajo që Von der Leyen theksoi është se për këtë duhet konsensus brenda Bashkimit Evropian. Si presidente e Komisionit Evropian, ajo ka nevojë për një miratim nga Këshilli Evropian për ta bërë kërkesën zyrtare ndaj Komisionit, mirëpo kjo vendimmarrje ende nuk po ndodh, dhe përgjegjësia mbetet tek BE-ja, pasi nuk ekzistojnë parakushte për këtë proces”, deklaroi Zulfaj në emisionin “Interaktiv” në KTV.
I pyetur nëse presidentja e Komisionit Evropian ka vullnet për ta shtyrë përpara këtë çështje, Zulfaj tha se ndonëse përkushtimi dhe vizitat e saj në rajon janë të rëndësishme, ato duhet të shoqërohen me hapa konkretë.
“Duhet të ketë më shumë seriozitet nga ana e BE-së. Ursula von der Leyen ka treguar përkushtim për rajonin, por ky përkushtim duhet të përkthehet në veprime. Bashkimi Evropian ka vonuar liberalizimin e vizave dhe po ashtu tash po vonon edhe procesin për dhënien e statusit kandidat”, tha Zulfaj.