Gjykata e Lartë e Gjermanisë ka marrë vendim për të konfiskuar rreth 720 milionë euro nga asetet e ngrira të një institucioni financiar rus, njoftoi sot sistemi gjyqësor në landin qendror të Hesenit.
Sipas autoriteteve gjermane, procedurat janë hapur me kërkesë të Zyrës Federale të Prokurorit të Përgjithshëm, si pjesë e zbatimit të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
Në deklaratën zyrtare thuhet se banka ishte përfshirë në listën e embargos së BE-së në qershor të vitit 2022, pak muaj pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të atij viti. Si rezultat, të gjitha pasuritë e saj në institucionet financiare evropiane u ngrinë në përgjigje të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se pas vendosjes së sanksioneve, persona të paidentifikuar brenda bankës kanë tentuar të tërheqin fondet, por urdhri elektronik për transferim nuk është ekzekutuar.
Në bazë të procedurave ligjore, fondet e bllokuara do të konfiskohen në favor të arkës shtetërore gjermane, duke shënuar një nga veprimet më të mëdha të këtij lloji në kuadër të sanksioneve financiare kundër Rusisë.