Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar për progresin e punës në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), duke bërë të ditur se procesi i verifikimit dhe numërimit të votave po ecën me dinamikë të mirë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 16:00 të së enjtes, janë përmbyllur proceset në 17 komuna, përfshirë Hanin e Elezit, Junikun, Mamushën dhe disa komuna të tjera.
Në këto qendra janë verifikuar rezultatet e zgjedhjeve për kryetarë komunash në 1,689 vendvotime, ndërsa për subjektet politike në kuvendet komunale janë numëruar votat në 1,668 vendvotime.
Nga gjithsej 5,142 kuti votimi për të dy llojet e zgjedhjeve, deri më tani janë procesuar 3,357 kuti, thuhet në njoftimin zyrtar.
KQZ ka bërë të ditur se aktivitetet kryesore në QKN përfshijnë verifikimin e rezultateve për kryetarë komunash, subjektet politike dhe numërimin e votave për anëtarët e kuvendeve komunale.
Ky proces, sipas institucionit, është thelbësor për garantimin e transparencës dhe korrektësisë në zhvillimin e zgjedhjeve lokale të këtij viti.