Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar menjëherë pas përfundimit të protestës mbarëkombëtare “Liria ka emër”, e cila u zhvillua sot (17 tetor 2025) në Sheshin “Skënderbej” të Tiranës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka përshëndetur pjesëmarrjen masive të qytetarëve shqiptarë nga mbarë trojet, duke e cilësuar protestën si një dëshmi të fortë të unitetit kombëtar dhe mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Tirana UÇK. Liri për Çlirimtarët!”, ka shkruar shkurt Haradinaj në reagimin e tij.
Protesta “Liria ka emër” u organizua në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë, mes tyre Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte, akuza që cilësohen plotësisht të padrejta dhe politike.