Specialisti i Mjekësisë Familjare, Rushit Ismaili, ka bërë të ditur se në Prishtinë është vërejtur një rritje e lehtë e rasteve me viroza, me simptoma të zakonshme si kollitje, rrjedhje hundësh, temperaturë dhe dhimbje muskujsh.
Në një intervistë për këtë medium, Ismaili rekomandoi që pacientët me simptoma të lehta të qëndrojnë në shtëpi për të paktën tre ditë, të konsumojnë lëngje, çaj, supë, dhe të përdorin paracetamol në rast temperature.
“Gjithmonë ka pasur raste që shoqërohen me shenja të sëmundjeve të rrugëve të sipërme respiratore, si kollitje, temperaturë dhe rrjedhje hundësh. Mënyra më e mirë për të parandaluar këto raste është përmes vaksinimit kundër gripit, në mënyrë që të pakësohet rreziku nga virusi i influencës”, tha Ismaili.
Ai theksoi se ndonëse simptomat janë kryesisht të lehta, ka pasur një rritje të lehtë të kërkesave për ndihmë mjekësore për shkak të infeksioneve virale.
“Zakonisht njerëzit ankohen për kollitje, rrjedhje hundësh, temperaturë dhe dhimbje muskujsh. Këto janë simptoma që menaxhohen lehtësisht në shtëpi, me pushim, lëngje të mjaftueshme dhe paracetamol. Rastet e komplikuara janë të rralla”, shtoi ai.
Vaksina kundër gripit, e disponueshme në QKMF
Ismaili u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më parë kundër gripit, duke theksuar se vaksina është në dispozicion në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe në të gjitha qendrat tjera përkatëse.
“Vaksina është shumë e rëndësishme në këtë periudhë. I ftojmë qytetarët që nuk janë vaksinuar ende, ta bëjnë këtë sa më shpejt. Ne kemi prodhuar edhe fletushka informuese për dobitë e vaksinimit dhe u rekomandojmë pacientëve ta marrin vaksinën”, tha Ismaili.
Masa shtesë për parandalim
Përveç vaksinimit, ai apeloi për kujdes të shtuar ndaj higjienës personale, përdorimin e maskave, shmangien e kontakteve të panevojshme dhe mbajtjen e një diete të shëndetshme.
“Qëndrimi në shtëpi për të paktën tri ditë është mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e virusit. Nuk ka nevojë për ndihmë mjekësore në rastet e lehta. Pini lëngje, çaj, ujë dhe supë, përdorni paracetamol kur ka temperaturë. Mos dilni në ambiente publike për të mos përhapur virusin tek të tjerët”, theksoi ai.
Ai gjithashtu rekomandoi larjen e shpeshtë të duarve, përdorimin e faculetave të pastra gjatë teshtimës, dhe larjen e frutave e perimeve me ujë të rrjedhshëm, si masa shtesë për të qëndruar të shëndetshëm./EO