Nga Tirana në Washington, jehona e protestës për ish-krerët e UÇK-së kapërceu kufijtë. Mijëra qytetarë që mbushën sheshin “Skënderbej” të premten pasdite, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, u bënë lajm në mediat më të mëdha botërore.
Associated Press, The Telegraph, New York Post dhe The Washington Post i kushtuan hapësirë të gjerë protestës në kryeqytetin shqiptar, duke e përshkruar atë si një demonstratë mbarëkombëtare për drejtësi dhe si shenjë të fortë solidariteti mes shqiptarëve në rajon.
Associated Press shkruan se qytetarët u mblodhën në kryeqytetin e Shqipërisë për të protestuar kundër Gjykatës Speciale të Hagës, të mbështetur nga BE-ja, duke e cilësuar si të njëanshme dhe që ndjek penalisht ish-luftëtarët që zhvilluan luftën e viteve 1998–1999 për pavarësinë e Kosovës nga Serbia.
“Demonstrues nga Kosova dhe vende të tjera evropiane mbushën sheshin kryesor ‘Skënderbej’ në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të arrestuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ose UÇK-së — një ish-grup guerilas i shqiptarëve të Kosovës që udhëhoqi luftën për pavarësi. Shumë prej tyre mbanin flamuj kombëtarë shqiptarë dhe të UÇK-së, ndërsa një grup ish-luftëtarësh dhe disa të rinj ishin të veshur me uniforma të UÇK-së. Disa këndonin këngë për UÇK-në dhe lirinë”, thuhet në artikull.
Mediat theksojnë gjithashtu se protesta nuk ishte politike dhe se:
“U organizua nga shoqata e veteranëve, e njohur si OVL-UÇK, dhe u mbështet nga qeveria dhe kryeministri i Shqipërisë, nën moton: ‘Liria ka një emër – drejtësi për çlirimtarët’.”
Në artikujt ndërkombëtarë vihet theksi edhe te prezenca e ish-presidentit Alfred Moisiu.
“Alfred Moisiu, 95 vjeç, ish-presidenti i Shqipërisë, ishte gjithashtu i pranishëm dhe bëri thirrje për drejtësi, duke thënë se të pandehurit ‘janë ndaluar pa prova, me akuza të sajuara’.”
Po ashtu përmendet numri i shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, si dhe tensionet e vazhdueshme me Serbinë:
“Gjykata dhe një zyrë prokurorie e lidhur me të u krijuan pas një raporti të vitit 2011 nga Këshilli i Evropës, një organ i të drejtave të njeriut, që përfshinte akuza se luftëtarët e UÇK-së kishin trafikuar organe njerëzore të marra nga të burgosurit dhe kishin vrarë serbë si dhe bashkëqytetarë shqiptarë etnikë. Akuzat për trafikim organesh nuk janë përfshirë në aktakuzat e lëshuara nga gjykata.”
Associated Press shton se dy ish-anëtarë të tjerë të UÇK-së janë dënuar tashmë nga gjykata:
“Gucati dhe një zyrtar tjetër i UÇK-së u dënuan për kërcënim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë.”
Sipas të dhënave të luftës:
“Rreth 11,400 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, humbën jetën gjatë luftës, përpara se një fushatë bombardimi e NATO-s ta detyronte Serbinë të tërhiqte trupat nga Kosova dhe t’ia dorëzonte kontrollin ish-provincës së saj Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s.”
Në fund, artikulli kujton se:
“Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, e njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e Perëndimit, por jo nga Serbia apo aleatët e saj, Rusia dhe Kina. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta.”