Dy prej gjashtë të akuzuarve e pranojnë fajësinë për huliganizëm në veri

by Nexhat

Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Nenad Miljkoviq dhe Aleksandar Llaziq pranuan fajësinë lidhur me akuzën për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”. Ndërkaq, katër të akuzuarit tjerë Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq dhe Marko Rakiq, u deklaruan të pafajshëm për të njëjtën vepër. Sofronijeviq akuzohet edhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjashtë të akuzuarit ngarkohen se më 13 tetor 2021 kanë marrë pjesë në turma të mbledhura në Mitrovicë të Veriut, ku kanë goditur me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dora pjesëtarët e Policisë dhe Doganës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Nenad Milkoviq, avokati Haxhi Millaku tha se i mbrojturi i tij është njoftuar për të gjitha rrethanat dhe ky deklarim i pranimit të fajësisë është me vullnet të lirë, duke iu sqaruar të gjitha pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.

Avokati Millaku propozoi që në rast se të mbrojturit të tij i shqiptohet dënim me burgim, t’i zëvendësohet me gjobë.

Kurse, mbrojtësja e Aleksandër Llaziq, avokatja Jelena Krivokapiq tha se e përkrah vendimin e të mbrojturit të saj për pranim të fajësisë dhe theksoi se ka qenë dëshira e tij subjektive për pranim fajësie. Tha se atij i janë sqaruar pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.

Edhe Krivokapiq tha se në rast se i akuzuari Llaziq dënohet me burgim, kërkoi që t’i zëvendësohet me burgim.

Më pas, prokurorja Shala tha se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e dy të akuzuarve dhe se i njëjti është bërë në pajtim me dispozitat e procedurës penale.

Ajo propozoi që pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese me rastin e shqiptimit të sanksionit penal.

Më pas, gjykatësi Vesel Ismaili aprovoi pranimin e fajësisë për dy të akuzuarit dhe veçoi procedurën nga të akuzuarit tjerë.

Gjykatësi Ismaili njoftoi katër të akuzuarit që u deklaruan të pafajshëm se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Ilija Viqentijeviq, avokati Emrush Kastrati tha se nuk i ka pranuar shkresat e lëndës, përveç aktakuzës.

Prokurorja Arbresha Shala tha se ka shpërndarë njoftimin tek të gjithë mbrojtësit për të marrë shkresat e lëndës, mirëpo nuk janë paraqitur të gjithë.

Në anën tjetër, avokati Kastrati tha se nuk e ka njoftuar askush për të shkuar për t’i marrë provat për këtë rast.

Pas një pauze të trupit gjykues, për t’u konsultuar rreth procedimit të seancës, avokati Kastrati u pajtua që seanca të vazhdojë me shpresë që Prokuroria do t’ia dërgojë të gjitha provat për këtë çështje përmes e-mail.

Më pas, prokurorja Shala tha se Prokuroria do t’ia dorëzojë shkresat me fletëdorëzim.

Kujtojmë se gjatë pauzës së trupit gjykues për konsultim, për pak momente në sallën e gjykimit është ndalë rryma.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 23 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit, më 13.10.2021, kanë marrë pjesë me dashje në turma të mbledhura prej rreth më shumë se dhjetëra personash në Mitrovicë të Veriut, numri i të cilëve është rritur dhe ulur varësisht nga lëvizjet e tyre, dhe kanë goditur me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dore, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe Doganës, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm. Sipas aktakuzës, ata kishin zënë pritë policisë në vendin e ngjarjes duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara të policisë janë goditur me plumba nga të shtënat me armë zjarri dhe me granata dore. Si pasojë, B.A., E.V. dhe S.A., pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë pësuar lëndime trupore”, thuhej në njoftim.

Sipas Prokurorisë, në të njëjtën ditë, të pandehurit Ilija Viqentijeviq, Milan Viqentijeviq dhe Marko Rakiq, në lagjen “Berxhane”, kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe doganorë me bombola gazi, e me armë zjarri në drejtim të tyre dhe të automjeteve zyrtare.

“Turma e personave është drejtuar drejt një barnatore, ku janë lënduar zyrtarët policorë M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M, dhe është shkaktuar dëm në vlerë mbi 20,000 euro”, thuhej në njoftim

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy