Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martën u dha fjala përfundimtare në gjykimin për pjesën e veçuar të rastit “Subvencionet 1”, ku po akuzohet Salih Kelmendi. Prokurori Rafet Halimi bëri rikualifikimin e veprës penale nga “Marrje ryshfeti” në “Ushtrim ndikimi”, ndërsa mbrojtësi i Kelmendit, avokati Besnik Berisha e quajti këtë rikualifikim “bëllok”.
“ Jo bre, s’p’e kqyri kadal dale hiç vallai, ma bërllok se ajo që u kanë, unë po e quaj, çu Salih deklarohu jo fajtor edhe u kry”, tha avokati Berisha.
Për këtë, i reaguan gjyqtari i rastit Kujtim Krasniqi dhe prokurori Halimi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“ Jo jo të lutem”, tha gjykatësi Krasniqi
“Jo, jo t’lutem”, tha më pas prokurori Halimi.
Më pas, i akuzuari Kelmendi u deklarua i pafajshëm.
Prokurori Halimi në vazhdim të elaborimit të fjalës përfundimtare, tha se Prokuroria bën rikualifikim të veprës penale nga ajo e “Marrjes së ryshfetit” në “Ushtrim ndikimi”, bazuar në statusin që i akuzuari Kelmendi ka pasur me rastin e ndërmarrjes së veprimeve.
Paraprakisht, prokurori tha se nga dëshmia e dëshmitarëve bashkëpunues Bekim Shala dhe Alban Bushati, është vërtetuar se Kelmendi ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Falsifikimi dokumenteve”.
Prokurori Halimi shtoi se nga dëshmia e dëshmitarëve, është vërtetuar se Kelmendi ka arritur marrëveshje që 70 për qind të përftimit të kundërligjshëm ta ndajnë mes tyre.
Halimi tha se gjatë hetimit Kelmendi nuk u ishte përgjigjur ftesave të Prokurorisë për intervistim, sa që gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij.
Po ashtu, ai tha se deklaratat e dëshmitarëve bashkëpunues janë korrekte dhe se përputhen mes vete. Tha se të njëjtit kanë deklaruar pa asnjë përfitim si dëshmitar bashkëpunues, pasi që kanë mbajtur burg për veprimet e tyre.
Për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, prokurori tha se kanë kërkuar që të bëhet analiza grafologjike për të krahasuar shkrimin në një provë materiale, që Prokuroria e ka me shkrim të Kelmendit, por se sipas Halimit ky i fundit ka refuzuar.
Ndërkaq, sipas avokatit Berishës, fillimisht Kelmendi ngarkohej në bashkëkryerje me dy dëshmitarë bashkëpunues dhe se tash me ricilësim po i bie se nuk ka pasur bashkëkryerje.
Gjashtë fjalës përfundimtare, Berisha ricilësimin e Prokurorisë e quajti “shkarravina”.
“Për bindjen time, shkarravinat e dispozitiviti të parë janë të njëjtat me shkarravinat e faqes së katërt”, tha Berisha.
Sipas Berishës, ka vendim që Gjykatës Supreme që nuk mund të kërkohen prova nga personi që i nënshtrohet procedurës penale, andaj edhe e ka refuzuar ekspertizën grafologjike Kelmendi.
Berisha shtoi se Prokuroria Speciale ricilësimin e bëri për të arsyetuar arrestimin.
“Besoj fuqishëm se edhe këta vetë e bëjnë për të la turpin që e kanë ba me arrestimin”, u shpreh avokati Berisha.
Berisha tha se Prokuroria me folderat e shumtë që ka dorëzuar në rastin “Subvencionet” po tenton që edhe Kelmendi të dënohet. Në fund, ai tha se Gjykata duhet ta lirojë Kelmendin nga akuza.
Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.
Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.
Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.
Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.
Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Më 9 janar 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim ndaj 12 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj. 11 prej tyre, Gjykata i dënoi me burgim efektiv prej 31 vitesh, 171 mijë euro gjobë dhe 6 vite burgim me kusht (së bashku). Kurse, një i akuzuar u lirua nga të gjitha akuzat.
Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.
Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi

