Pas Bekë Berishës së AAK-së, në lidhje me takimin mes tyre Gazeta Infokus ka kontaktuar edhe kandidatin e LVV-së në Pejë, Taulant Kelmendin.
Kelmendi ka mohuar që me Berishën të ketë pasur ndonjë bisedë për koalicion në komunën e Pejës, para datës së 9 nëntorit ku në këtë komunë Kelmendi pritet të përballet në balotazh me Gazmend Muhaxherin e LDK-së.
I pyetur direkt nëse mund të ketë bisedime për koalicion me AAK-në ai u përgjigj: Po, pse jo!”. Derisa takimin me Berishën e AAK-së e quan vetëm spontan dhe të rastësishëm.
“Po, Beka është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ka qenë takim spontan në funksion të ngjarjeve kështu të zhvillimeve politike në përgjithësi. E kemi pi nga një kafe dhe kaq. Zakonisht për koalicione dhe për biseda politike diskutojmë në zyre aty ku përkasin këto tema. Po pse jo, unë kam bërë ftesë publike për të gjitha subjketet politike për me u bashkërendu dhe për me ndërru pushtetin në Pejë”, ka thënë Kelmendi për Infokus.
Ndërsa njëri nga gazetarët e Infokusit, i cili ka realizuar pamjet që u publikuan dhe ka qenë i ulur në afërsi të tyre në kafene ka thënë se është gënjeshtër se takimi ka qenë rastësi, pasi sipas tij ata kanë komunikuar edhe në telefon para se të takohen dhe se Kelmendi i LVV-së ka qenë duke e pritur Bekë Berishën e AAK-së.
Gazetari ka thënë se takimi është bërë pikërisht për të diskutuar për çështje të koalicionit dhe se ka zgjatur diku rreth 2 orë.
Sot Gazeta Infokus publikoi pamje të këtij takimi dhe përvec Kelmendit mediumi kontaktoi edhe Berishën e AAK-së i cili eskaloi duke thënë se “në vende publike takohna me kë të du, hajt tash mos më pengoni”.
