Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) i bëri thirrje të enjten Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështesë anëtarësimin e plotë të Palestinës në këtë organizatë botërore dhe të ruajë armëpushimin në Gaza , si dhe të ndërmarrë hapa konkretë për t’i dhënë fund pushtimit izraelit.
“Ne mirëpresim përpjekjet e Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe nënshkrimin më herët këtë muaj të një marrëveshjeje armëpushimi për Gazën”, tha e dërguara e Turqisë në OKB, Aslı Güven , ndërsa iu drejtua këshillit në emër të Grupit të OBI-t.
Ajo tha se armëpushimi në Gaza “ka hapur një perspektivë të re në demarshet globale për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”.
“Ne bëjmë thirrje për veprim në kohë nga këshilli për pranimin e Palestinës si anëtare me të drejta të plota e Kombeve të Bashkuara”, kërkoi ajo.
Güven kërkoi më tej që këshilli të vazhdojë “të mbështesë dhe të ruajë vrullin aktual drejt rivendosjes së paqes së qëndrueshme në Gaza dhe në të gjithë Territorin e Pushtuar Palestinez”.
“Ne i nxisim anëtarët e nderuar të këshillit të marrin në konsideratë koston shumë të madhe të luftës 2-vjeçare në Gaza në terma njerëzorë dhe materialë”, tha ajo, duke përmendur “humbjen kolosale të mbi 68,000 viktimave kryesisht civile”, si dhe vdekjen e punonjësve mjekësorë, stafit të UNRWA-së dhe gazetarëve.
OBI dënoi gjithashtu veprimet izraelite në Siri dhe Liban dhe e quajti vendimin e Izraelit në Golanin e pushtuar “të pavlefshëm” dhe i kërkoi Izraelit të tërhiqet nga të gjitha tokat arabe të pushtuara “menjëherë, plotësisht dhe pa kushte”.
“Kështu, ne riafirmojmë shpresën tonë të sinqertë se plani i fundit i paqes do të sjellë paqen e shumëdëshiruar në Palestinë dhe në të gjithë Lindjen e Mesme”, vuri në dukje Güven.

