Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz në samitin e BE-së (23.10.) në Bruksel i bëri thirrje Komisionit të BE-së për të vepruar me vendosmëri në uljen e burokracisë.
“Ne na duhet në BE një kthesë e vërtetë kulturore”, tha kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz. Eshtë mirë, vazhdoi ai, që Komisioni i ka vënë vetes disa objektiva, por ato duhet të zbatohen. Në përgjithësi Komisioni ka marrë përsipër të ulë burokracinë prej nga do të gjenerohet një vlerë prej gati 40 miliardë eurosh. “Por deri tani janë realizuar gati 9 miliardë euro dhe janë zbatuar masa për vetëm 1,5 miliardë euro”, kritikoi Merz. “Ka ende shumë për të bërë. Sa është arritur deri tani nuk mjafton.”
Lipsen reforma – Propozime nga Draghi dhe Letta
Që të arrihet ky objektiv duhet që të ulet vërtetë barra e burokracisë, të thjeshtohet e drejta e BE-së në të gjithë sektorët, dhe që Komisioni e Parlamenti Europian të jenë të rezervuar me propozime rregullash të reja. Ai kërkoi që Parlamenti Europian sërish të tërheqë vendimin, sipas të cilit nuk duhet thjeshtuar direktiva për zinxhirin europian të furnizimeve.
Samiti i BE-së vendosi që më 12 shkurt 2026 të zhvillohet një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit Europian, i cili të merret posaçërisht vetëm me aftësinë e konkurrencës së industrisë europiane. Në këtë takim janë të ftuar edhe Mario Draghi dhe Enrico Letta, të cilët kanë parashtruar dy propozime udhërrëfyese për reformat për realizimin e plotë të tregut të brendshëm të BE-së.

