Eurodeputeti bullgar, njëherësh anëtar i Komisionit për Çështjet e Jashtme (AFET) në Parlamentin Evropian, Andrey Kovatchev, ka deklaruar se procesi i integrimit europian është jetik si për BE-në, ashtu edhe për vendet e rajonit, duke theksuar se duhet përshpejtuar pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane.
Në fjalën e mbajtur nga Pusteci, Kovatchev nënvizoi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që kanë arritur më shumë progres në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
“Në këtë situatë të ndërlikuar gjeopolitike në botë, duhet të pranojmë sa më shpejt të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, çdo vend vlerësohet sipas meritave dhe përparimit të reformave. Shpresa jonë është që në vitet e ardhshme t’u themi mirëseardhjen disa prej këtyre vendeve si anëtarë të plotë të BE-së. Unë shpresoj që ndër to të jetë edhe Shqipëria”, u shpreh Kovatchev.
Sipas tij, Ballkani duhet të kapërcejë ndasitë historike dhe të përqendrohet tek bashkëpunimi ekonomik, tregtar e kulturor.
“Duhet të investojmë në marrëdhënie të mira fqinjësore, në lidhje infrastrukturore dhe në shkëmbime ndërnjerëzore. Kufijtë duhet të jenë vetëm simbolikë, si në vendet e tjera të BE-së. Kjo është plotësisht e realizueshme – varet nga vetë ju”, shtoi Kovatchev, duke theksuar se shoqëria shqiptare është ndër më pro-evropianet në rajon.
Ai vlerësoi unitetin politik në Shqipëri për çështjen e integrimit europian, duke theksuar se si qeveria edhe opozita ndajnë të njëjtin qëllim, anëtarësimin e vendit në BE.
Kovatchev u ndal edhe tek Maqedonia e Veriut, duke theksuar se Bullgaria nuk e pengon anëtarësimin e saj në BE, përkundrazi, e mbështet fuqishëm.
“Ne nuk kemi pasur kurrë problem me emrin Republika e Maqedonisë. Mbështesim që vendi të ecë përpara në procesin e integrimit, por kërkojmë që në Kushtetutë të përfshihet edhe komuniteti bullgar, njësoj si komunitetet e tjera përbërëse”, theksoi ai.
Kovatchev i bëri apel liderit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, që pas zgjedhjeve të fokusohet në hapjen e negociatave për anëtarësim, duke lënë pas retorikën e vjetër politike.
“Ne e dëshirojmë dhe do ta mbështesim anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, ashtu si edhe të Shqipërisë. Por çdo vend do të vlerësohet veçmas, në bazë të reformave dhe përparimit që bën vetë”, përfundoi Kovatchev, ndërsa dha dhe një mesazh të qartë pajtimi dhe shprese.
“Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Europian. Reformat, bashkëpunimi dhe pajtimi me të kaluarën janë rruga e vetme drejt së ardhmes evropiane të përbashkët”, tha ai

